Secondary Adv

Transportuesit nga Serbia dhe Bosnja vazhdojnë bllokadat në pikat kufitare për të pestën ditë

Bllokadat në kufijtë me Bashkimin Europian vijojnë për të pestën ditë, duke krijuar vonesa dhe dëme ekonomike për rajonin.

Transportuesit nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina po vazhdojnë bllokadat në pikat kufitare me Bashkimin Europian për të pestën ditë radhazi, në shenjë proteste kundër procedurave që ata i konsiderojnë të ashpra për hyrjen dhe qëndrimin në Zonën Schengen.

 

Ndërkohë, transportuesit nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë hequr dorë nga masat bllokuese më 29 janar, pasi Komisioni Evropian njoftoi se po punon për një strategji të re vizash, e cila synon të adresojë problemin e kufizimit të ditëve të qëndrimit për punëtorët nga vendet e treta.

 

Pikat e bllokuara dhe kërkesat e transportuesve

Sipas të dhënave, vetëm në Serbi janë bllokuar terminalet për mallra në 22 pika dalëse dhe 19 pika hyrëse. Transportuesit kundërshtojnë rregullat aktuale që, sipas tyre, ua kanë kufizuar ndjeshëm kohën e qëndrimit në vendet e Bashkimit Europian.

 

Kërkesa kryesore e tyre është zgjatja e periudhës së qëndrimit nga tre në katër muaj brenda një periudhe gjashtëmujore. Paralajmërimet fillestare kishin qenë se protestat do të zgjasnin të paktën shtatë ditë, nëse nuk arrihej një marrëveshje konkrete.

 

Dëmet ekonomike dhe qëndrimi i BE-së

Presidenti i Dhomës së Tregtisë në Serbi, Marko Çadezh, deklaroi në ditën e parë të bllokadave se dëmi direkt ditor për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vlerësohet në rreth 100 milionë euro.

 

Strategjia e re e vizave, e miratuar nga Komisioni Evropian më 29 janar, parashikon bashkëpunim më të ngushtë me shtetet anëtare për të gjetur “zgjidhje pragmatike”, si dhe mundësinë e zgjatjes së qëndrimit për kategori të caktuara shtetasish nga vendet e treta.

 

Ndikimi te bizneset kosovare

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka përshëndetur heqjen e bllokadave nga transportuesit e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv drejt normalizimit të qarkullimit të mallrave dhe funksionimit të zinxhirëve të furnizimit.

 

Megjithatë, Kosova, ndonëse nuk ka marrë pjesë në protestë, ka ndjerë pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes tranzitit nëpër këto vende. Disa biznese kosovare kanë raportuar vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare si pasojë e bllokadave të vazhdueshme.

 

Burimi: REL


Më të lexuarat